DE / EN
Ju lutem t’i respektoni të drejtat autoriale! Poqëse doni të përdorni materialin nga këto faqe, ju lutem, më kontaktoni paraprakisht në dardan@shkreli.net. Ju falemnderit!

Azem Shkreli u lind më 1938, dhe mund të thuhet, dhe duhet thënë se,është më Shkreli nga Shkrelët e tij.

 

Qysh në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, befasoi me “Bulzat”, e sidomos “Karvanin e bardhë”. Pastaj ngjiti shkallët për në qiellin tonë të ultë letrarë, gjithnjë duke ngritur krerët e pullazit, përkundër qortimeve lakmitare dhe pusive të kritikës së herëpashershme.

 

Por ai bëri punën e shkrimtarit, thelloi përshtypjen, i dha mendimit kahje të qartë dhe krijoi identitet të pakontestuar me fuqinë e fjalës, dhe bëri që shqipja jonë të ndihet komode në metaforat e tij.

 

Në arkitekturën e mendimit poetik hapi kadencën e vet dhe në fund të veprës së vet poetike e trashi fusnotën me përkushtim, e sidomos origjinalitet.

 

Azem Shkreli vdiq më 1997 “si me luejt” - lamtumirën e la të gëdhendur në gurë te koka - nëse i duhet ndokujt. Nëse jo, ai as tash e tutje nuk hidhërohet në askënd.

 

I tillë ishte Ai.

 

 

 

Mërgim

 

Si s'i morrëm netët

Njerëzit, brigjet, gurët

Si s'i morëm

 

Na more

Uri e udhëve, na more

 

Gjithë çka mbeti është

Shkuarje dhe

Gërrithje për të mbetur

 

Katër e njëzetepesë

 

Në katër e njëzetepesë

Mund të vijnë e të shkojnë udhët, mund

Të lindin fëmijë të bukur si bari

 

Në katër e njëzet e pesë mund

Të mbarojë lufta, të rrjedhë ujë ujërave

Të shkruhet libër, asgjë të mos përsëritet

 

Mund të jetë e shtunë pas tërë një të premteje

Vetmi e pritje, mallkim e pritje, një lumë

Të heqë dorë nga bifurkacioni

 

Mund të dëgjohet muzikë nate, mund të qash

Mund të dashurosh dhe të vdesish si

Asnjëherë tjetër

 

Në katër e njëzetepesë kur

Flenë meteorët.

 

 

Skicë për nekrolog

 

Kur të pendohen udhët

Qiriu kur ta djegë ditën e vet

 

Kur të flerë amshueshëm

Ky varg imi në një guacë

 

Shi kur të bjerë, kur të rritet

Fieri, himni i harresës

 

Kur të vdesim të mençur

Përjetësisht kur të vdesim

 

Të bukur që do të jemi, o

 

Lemëza

 

Frymës m'i bie apo harfës

Erë shëndeti të luleborës

 

Thonë dikush të përmend

 

Kallam që m'i këndon

Herë emrit, herë harrimit

 

Trupin që ma mbulon me gjeth

 

Një vend a ma le në lemëzën

E një pikëllimi të bukur

 

 

Këngë e turpshme

 

Sonte

Qava sonte për ty

Arbëri

 

Nuk më vjen turp

Pse qava

Më vjen turp pse s'munda

Të bëj tjetër

 

Nga turpi qava

 

 

Zbritja nga balada

 

Thash kësaj bote të përtokëshme më mirë arrihet këmbë

Bukuri e të gjallëve përherë na shëron nga një dhëmbë

 

Se si hyri një lumë e na i ra mespërmes mendimit

 

Këndej unë i vdekshmi kryeneç me tumën time në duar

Andej një natë dycopësh dhe ti dhe princi yt kaluar

 

Mirëmbeç koka ime, do të piqemi përtej harrimit

 

 

Bisedë me Shkrelët

 

Si të ju këpus nga bima

ime kështu, të egër, të mirë

 

njëherë do t´ju vë nëpër rima

me dhunë, të vdisni pa mëshirë

 

ndaj mëshirës, as herën tjetër

s´do t´lindnim ndryshe, s´ka gjë

 

ç´na duhet marri e vjetër

nga e cila nuk vdiset më

 

mbi murin e fjalës, mbi barë

mbi gjakun e shtarmë pendim

 

do t´vini harrimin e parë

tuajin dhe mëkatin ti

 

dhe në gjemim të valës, nën urë

në tokë, në fier, në tel

 

në myshk, në pushkë, në gur

në kokë më fëshfërini, Shkrelë

 

Katër këshilla vetes

 

Mos u bëj poet nëse s´mund të lindësh

Me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.

 

Ngrehu mbi veten në do t´rrokësh frerët e erërave,

Të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtërgatat e gjakut tënd.

 

N´se dashurohesh, dashurohu n´flakë e n´valë,

Jo në sy të kaltër se bëhesh det i çmendur pendimi.

 

Mos u bëj poet nëse s´mund të vdesësh

Për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë…